Vuçiq ende s’ka kërkuar leje për vizitë në Kosovë

Vuçiq ende s’ka kërkuar leje për vizitë në Kosovë

Para gazetarëve në Serbi, Aleksandër Vuçiq ka thënë se ai mund të vijë në Kosovë edhe pa kërkuar leje, e edhe përmes rrugëve ilegale, por nuk dëshiron të krijojë probleme.

Vizita e tij e paralajmëruar për të martën, si pjesë e fushatës së tij parazgjedhore, nuk do të ndodhë sepse Vuçiq ende nuk ka kërkuar leje për vizitën e tij.

Bashmir Xhemaj, shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm, ka konfirmuar për KTV-në se ende nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për këtë.

“Kur të kemi një kërkesë, atëherë do të ketë edhe një përgjigje adekuate, por në nivel qeveritar për shkak të profilit të lartë të vizitës”, ka thënë Xhemaj.

Megjithëkëtë, kandidati për President të Serbisë i Partisë Përparimtare, kërkesën e tij pritet t’ua dorëzojë institucioneve të Kosovës brenda pak ditësh, ka mësuar KTV-ja nga burime të afërta me procesin.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë vendim për lejimin ose jo të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe edhe në Kosovë.

Ato zhvillohen më 2 prill, derisa serbët e Kosovës edhe më herët kanë votuar për zgjedhjet e Serbisë, në qendra votimi në tërë territorin e Kosovës.

Për të minimizuar rëndësinë e tyre, institucionet i kishin quajtur vazhdimisht qendra grumbullimi, ani pse ato kanë qenë njësojë si një qendër normale votimi.

OSBE-ja, që ka lehtësuar më herët këtë proces, ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime për këtë.

“Ekziston një pritje për këtë, bazuar në përvojat e mëhershme. Ne jemi në konsulta me palët, shpresojmë që rezultati të jetë pozitiv. Tutje do të veprojmë në pajtim me rezultatet e këtyre konsultave”, thotë Zyra për media në OSBE.

Partitë opozitare dhe shoqëria civile vazhdimisht kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Të fundit që janë mbajtur janë zgjedhjet e parakohshme vitin e kaluar, ku në Kosovë për fushatë ishin disa nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Serbisë.

Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste tjera zakonisht bëhet përmes postës ose votim në Ambasadën e shtetit përkatës.

Kur kjo nuk ishte përfillur vitin e kaluar, zyrtarë qeveritarë patën thënë se po bëhet për shkaqe teknike, sepse Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Prishtinë nuk i plotëson kushtet për votim.

“Është më lehtë të grumbullohen votat në tërë Kosovën sesa të votohet në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, sepse ajo teknikisht nuk i plotëson kushtet”, ka thënë Bajram Gecaj, zëvendësministër i MAPL-së.

Postuar më: 20 Mars 2017, 23:59
Abedin Bilalli
Lindi në vitin 1984 në qytetin e Gostivarit. Në vitin 2011 mbaroi studimet për gazetari në Universitetin e Tetovës. Nga viti 2013 punon si gazetar aktiv dhe është anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.