Kur dhe si filloi festimi i Bajrameve ?

Kur dhe si filloi festimi i Bajrameve ?

Festimi i këtyre dy festave filloi në vitin e parë hixhri. Transmetohet prej Enesit r.a. i cili tha: Erdhi i dërguari i All-llahut s.a.v.s. në Medine dhe banorët e saj i kishin dy ditë të veçuara për lojë, e ai iu tha: “Ç’janë këto dy ditë? –Thanë: Luanim në këto dyja në xhahilijet, e iu tha i dërguari i All-llahut: All-llahu ua ka zëvendësuar juve ato festa me dy më të mira, me festën e kurbanit dhe atë të fitrit”. (Ebu Davudi)

Si duhet të festohet kurban bajrami?

Në të kaluarën Islame bajramet festoheshin në mënyrë madhështore, në këto dy festa besimtarët i lenin anash brengat dhe telashet, të pasur e të vobektë, burra e gra, pleq e fëmijë, të gjithë merrnin pjesë dhe e ndanin gëzimin së bashku, ngase kështu edhe i kishte mësuar i dërguari i All-llahut Muhamedi a.s.s.

Për këtë festë përgatitjet e ushqimeve tek ne fillojnë më herët, kjo është një traditë që ndryshon prej vendit në vend, dhe mbase që kjo nuk bie ndesh me parimet islame edhe nuk ndërhyhet në të, por ajo që porositemi prej Muhamedit a.s.s. për natën paraprake të bajrameve është përgatitja shpirtërore. Transmetohet nga Ebu Derdaja r.a. se I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush zgjohet natën e bajramit për All-llahun duke llogaritur (në shpërblim), nuk i vdes zemra atij ditën kur vdesin zemrat”. (Bejhekiu)

Është e preferuar që besimtari para se të shkoj për faljen e namazit të bajramit të pastrohet, të parfymoset dhe të vishet me teshat më të bukura që posedon. Transmetohet se: “I dërguari i All-llahut i urdhëronte besimtarët që në dy bajramet të veshin rrobat më të bukura që kanë që të parfymosen me erërat më të këndshme , dhe të presin kurban kafshën më të majme që gjejnë”. (Hakimi)

Është mirë të vonuarit e ngrënies deri pas namazit të kurban bajramit e edhe më mirë pas prerjes së kurbanit për ata që presin, Transmeton Ahmedi se: “I dërguari i All-llahut hante për fitër bajram para se të gdhinte kurse për kurban bajram hante pasi që kthehej nga xhamia”. Kurse Ibni Kudame thotë se nuk dimë të ketë mospajtim të dijetarëve në atë se preferohet vonimi i ngrënies pas namazit të kurban bajramit.[i]

Duke shkuar për në xhami besimtari duhet të këndoj tekbiret[ii] me zë, kurse femrat në heshtje, gjithashtu pas farzit të çdo namazi duhet marrë tekbire deri në ditën e fundit të kurban bajramit. Transmetohet nga Ibni Omeri se: “Ai kur gdhinte ditën e fitër apo kurban bajramit këndonte tekbiret me zë derisa mbërrinte në vendin e faljes më pastaj këndonte aty tekbire derisa arrinte imami”.[iii]

Namazet e bajrameve preferohet që të falen në vend të haptë e të përbashkët për të gjithë banorët e një vendbanimi me përjashtim nëse këtë e pengon ndonjë faktor i jashtëm. Transmetohet nga Ebu Hurejre në një hadith që dyshohet në autenticitetin e tij se: “Kishte rënë shi një ditë bajrami dhe për këtë shkak i dërguari i All-llahut s.a.v.s. ua kishte falë namazin e bajramit në xhami”.(Termidhiu, ibni Maxheh, Ahmedi)

Në namazin e bajramit duhet të marrin pjesë edhe gratë e fëmijët. Transmeton Ummu Atija duke thënë: “Jemi urdhëruar që ti marrim për bajram vajzat e rritura dhe femrat që janë me cikle mujore e të prezantojnë në mirësitë dhe thirrjen e myslimanëve, e ato që janë me cikle mujore qëndronin jashtë vendit të faljes”. (Buhariu dhe Muslimi).

Preferohet të kthyerit prej vendit të faljes për në shtëpi nëpër rrugë tjera nga ajo nëpër të cilën kemi shkuar për në vend falje. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. të ketë thënë: “I dërguari i All-llahut kur shkonte për në bajram, kthehej nga rrugë të tjera nga ajo që ka shkuar”.(Muslimi)

Prej gjërave tjera që duhet bërë pas përfundimit të namazit është urimi i bajramit dhe të përshëndeturit e besimtarëve në mes vete. Transmetohet nga Xhubejr bin Nefir të ketë thënë: “Se shokët e Muhamedit a.s.s. kur takoheshin ditëve të bajramit i thoshin njëri tjetrit: All-llahu kabull na bëftë(pranoftë) neve dhe juve”.[iv]

Vet emërtimi “festë” nënkupton se ajo karakterizohet me gëzime dhe ahengje, e ne e dimë që Islami është më se i kujdesshëm ndaj ahengjeve të ç’thurura dhe çështjeve tjera të cilat e nxisin njeriun për në lajthitje dhe devijim, për këtë arsye edhe i ka përkufizuar apo edhe ndalu shumicën prej tyre, duke pasur për qëllim mënjanimin e çdo rreziku që iu kanoset moralit të besimtarëve.

Nga ky aspekt edhe vallëzimi i përzier në mes meshkujve dhe femrave është rreptësisht i ndaluar, kurse Aishja r.a. thotë se: “Ditën e bajramit disa Abisinas vallëzonin (valle burrash me armë në duar të pastër nga vallëzimet e sotme degjeneruese) në xhami e mua më thirri i dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe e vendosa kokën mbi supet e tij prej anës së prapme të tij duke pasur për qëllim shikimin e vallëzimit të tyre, vazhduam së shikuari derisa unë u largova” (Muslimi) Duhet qenë të kujdesshëm nga keqkuptimi i transmetimit në fjalë ngase Aishja r.a. nëna e besimtarëve nuk merrte pjesë në vallëzim (All-llahu na ruajt nga keqinterpretimi i tillë) por vetëm shikonte e fshehur prapa shpinës së bashkëshortit të saj Muhamedit s.a.v.s. Kurse në transmetimin tjetër Aishja r.a. thotë: “Hyri tek ne Ebu bekri (babai i Aishes r.a.) ditën e bajramit e aty ishin dy fqinje që këndonin për ditën e Buathit[v], ditë në të cilën kishin rënë kreshnikët e Evsit dhe Hazrexhit e iu tha Ebu Bekri: O rob të All-llahut a psalmi – himni i shejtanit (e tha këtë tri herë), e i tha i dërguari i All-llahut: O Ebu Bekër vërtetë çdo popull ka fetë dhe vërtetë sot është festa jonë”. Nga këto dhe shumë transmetime tjera të ngjashme mund të vijmë në përfundim se argëtimi me lojë e me këngë, dhe gjëra të tjera që janë në përputhje me parimet morale të islamit është e preferuar apo synet në ditët e dy bajrameve ngase i dërguari i All-llahut nuk e ka ndaluar por e ka aprovuar një gjë të tillë.

Postuar më: 5 Korrik 2016, 02:46
Redaksia Flaka
Agjencia e Lajmeve Flaka filloi me punë në Prill të vitit 2016. Për një kohë relativisht të shkurtër angazhoi gazetarë të mirënjohur dhe me përvojë të gjatë në gazetari. Flaka tashmë është një emër i njohur në tregun mediatik në Maqedoni dhe jo vetëm.

LAJME NGA MAQEDONIA

PUBLICITET

FOTO LAJM

FACEBOOK FLAKA