Komuna e Gostivarit borën e parë e pret me 200 tonelata kripë dhe buxhet prej 5 milionë denarë

Komuna e Gostivarit borën e parë e pret me 200 tonelata kripë dhe buxhet prej 5 milionë denarë

Komuna e Gostivarit fillimin e borës së parë dhe të ftohti e acartë të cilin e paralajmëruan sinoptiket e motit e pret me të gjitha përgatitjet e nevojshme, me një buxhet i paraparë prej 5 milion denarë, kurse janë siguruar edhe 200 tonelata kripë industriale, njofto Agjencia e Lajmeve FLAKA.mk

“Tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që mirëmbajtja e rrugëve gjatë stinës së dimrit të menaxhohet pa ndonjë  vështirësi të theksuar”, thonë nga Komuna e Gostivarit dhe bëjnë me dije se procedura e tenderimit ka përfunduar dhe tashmë është nënshkruar kontratat me operatorin kryesor që do të menaxhon me pastrimin e rrugëve.

“Kompania që do të mirëmbajë rrugët gjatë stinës së Dimrit në proces legal tenderik është zgjedhur kompania “Magnum Trans – R”, nga Gostivari e cila ka plotësuar të gjitha kushtet teknike të parapara në dokumentacionin tenderik”.

Tenderi përfshi mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve lokale në qytet dhe vendbanimet e tjera të territorit të Komunës së Gostivarit. Në bazë ligjore, qytetarët obligohen të bëjnë pastrimin e borës prej para objekteve të tyre qofshin ato objekte banimi apo sipërmarrje.

Për periudhën vijuese kur pritet të intensifikohen të reshurat atmosferike të borës, nga seksioni i ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” në Gostivar, shprehen të gatshëm dhe përgatitur për tu përballur me sezonin e dimrit.

Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”, është kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve regjionale dhe nacionale. Krahas mekanizmit të vet, ndërmarrja ka vënë në përdorim edhe pajisje speciale nga firma të tjetra. Për sezonin e Dimrit, janë siguruar mbi 1.000 tonë kripë industriale dhe rreth 3.000 metra kub rërë apostafate.

Rrugët tek të cilat si zakonisht shfaqen problem gjatë stinës së dimrit dhe ku është e domosdoshme intervenimi adekuat, nga seksioni i ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” në Gostivar, nënvizojnë aksin e Strazhës, rruga regjionale Debresh – Vrapçisht si dhe drejtimi rrugor për në fshatin Sërmnovë. Aktualisht, gjendja e rrugëve të Gostivarit me rrethinë, paraqitet stabile, pa vonesa dhe pengesa.

Nga ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë” në Gostivar, përsërisin apelin që drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e parapara ligjore, dhe mbi gjitha të drejtojnë makinat e tyre konform kushteve në terren. Për shkak të temperaturave të ulëta të mëngjesit, në disa vende malore mund të paraqitet ngricë.

Edhe nga ana e policisë janë bërë apele të vazhdueshme për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në këto segmente rrugore. Problemet e shumta të hasura gjatë viteve të kaluara në terren, kanë shtyrë drejtuesit e sektorit për siguri në komunikacion të Stacionit Policor të Gostivarit, të ndërmarrin masa paraprake për tërheqjen në kohë të pengesave nga sipërfaqet publike, të cilat pengojnë në pastrimin e rrugëve nga bora gjatë stinës së dimrit. Nga ky nivel apelojnë tek qytetarët që t’i largojnë nga rrugët, trotuaret dhe zonat e trafikut publik, të gjitha automjetet e vjetra e të nxjerra nga përdorimi, drunjtë për ngrohje si dhe të gjitha materialet e tjera të lëna ndërkohë në hapësirat publike. FLAKA.mk

 

Postuar më: 3 Janar 2017, 21:42
Abedin Bilalli
Lindi në vitin 1984 në qytetin e Gostivarit. Në vitin 2011 mbaroi studimet për gazetari në Universitetin e Tetovës. Nga viti 2013 punon si gazetar aktiv dhe është anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.