Ethet e orëve të fundit; Clinton dhe Trump në garë për votuesit gri

Ethet e orëve të fundit; Clinton dhe Trump në garë për votuesit gri

Ndërsa orët po kalojnë dhe gjithçka po i afrohet ditës finale të zgjedhjeve, kandidatët presidencialë në SHBA janë në tentativat e fundit për të fituar mbështetjen e votuesve gri.

Hillary Clinton dhe Donald Trump po vizitojnë sa njërin shtet-tjetrin sikurse Florida, Pensilvania, Karolina e Veriut, pasi këto janë  zonat me influencë me të madhe për të arritur 270 votat elektorale që duhen për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet qe konsiderohen të domosdoshme për Donald Trump që të fitojë janë Karolina e Veriut, Arizona, Ohio, Iowa, por edhe Pensilvania dhe Michigani do të balanconin menjëherë situatën nëse ai humbet në njërën prej zonave të mësipërme.

Humbja në secilin prej shteteve të konsideruara si të domosdoshme për Trump, do të komplikonte tepër situatën për të.  Ndërsa miliarderi njujorkez po mundohet të thyejë “muret blu” të Clinton, kjo e fundit pas mbylljes për së dyti të skandalit të emaileve të hapur nga FBI, duket se mori sërish stafetën.

Sipas sondazhit të Fox News zonja Clinton kryeson rivalin politik me 4%, ndërsa sipas atij të BBC ajo qëndron para me 3 pikë. Asnjë nga sondazhet kryesore nuk i jep përparësi Trump megjithatë diferenca mbetet shumë e ngushtë.

Në një klip prej dy minutash , ish-sekretarja e Shtetit u kërkoi votuesve te jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e tyre.
“Ju do të zgjidhni presidentin tonë të ardhshëm. Nuk është thjesht emri im apo i kundërshtarit tim që ju do të shihni mbi fletë, por është shteti që kërkoni të ndërtoni për fëmijët dhe nipërit tanë. A do të donit një vend të përçarë dhe të errët apo një vend plot shpresë dhe gjithëpërfshirës?”, u shpreh Clinton.

Ndërkaq siguria është rritur maksimalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mijëra punonjës të policisë kanë detyrën për të qenë në vigjilencë të lartë ditën e zgjedhjeve.

/ Top Channel

Postuar më: 8 Nëntor 2016, 00:42
Redaksia Flaka
Agjencia e Lajmeve Flaka filloi me punë më 23 Mars të vitit 2016. Për një kohë relativisht të shkurtër angazhoi gazetarë të mirënjohur dhe me përvojë të gjatë në gazetari. Flaka tashmë është një emër i njohur në tregun mediatik në Maqedoni dhe jo vetëm.