Apple mendon të ‘rikthehet’ në atdhe

Apple mendon të ‘rikthehet’ në atdhe

Një ndër premtimet më të mëdha të Donald Trump është rikthimi i prodhimit në tokën amerikane të dhjetra kompanive që kanë ‘emigruar’ kryesisht në Kinë dhe vende të tjera të Azisë Lindore për të përfituar nga krahu i lirë i punës.

Trump ka premtuar lehtësi fiskale dhe favorizime në taksa për këto kompani dhe duket se ende pa marrë detyrën si President, ky premtim po jep efekt, të paktën nga ajo që raportoi “Nikkei Asian Revieë” të mërkurën.

Sipas kësaj reviste, kompania “Apple” është duke menduar realisht mundësinë që të rikthejë në Shtetet e Bashkuara asamblimin e produkteve të saj dhe për këtë i ka kërkuar partnerëve aziatikë që ta shqyrtojnë këtë mundësi.

Apple ka kontraktuar dy kompani në asamblimin e produkteve të saj, që të dyja nga Tajvani. Njëra prej tyre është  Hon Hai Precision Industry, e njohur ndryshe si Foxconn Technology Group, që siç raporton Nikkei Asian Revieë pranoi ta shqyrtojë si mundësi, ndërsa tjetra është Pegatron, e cila e ka refuzuar këtë kërkesë duke e argumentuar këtë më shqetësimin për rritjen e ndjeshme të kostos së produkteve.

Lëvizjet e gjigantit teknologjik amerikan pasqyrojnë shqetësimin real të shumë kompanive për Presidencën Trump. Presidenti i zgjedhur ka deklaruar se veç favorizimeve fiskale për kompanitë amerikane që prodhojnë në vend, do të rrisë ndjeshëm taksat për ato që zgjedhin të fabrikojnë produktet e tyre në vendet me krah të lirë pune.

Ai ka propozuar konkretisht taksë 40 përqind për të gjitha produktet amerikane që fabrikohen në Meksikë dhe 30 përqind për ato që fabrikohen në Kinë dhe vende të tjera të Azisë Lindore.

Postuar më: 18 Nëntor 2016, 20:39
Salije Sadiku
Lindi në vitin 1988 në Kërçovë. Në vitin 2012 mbaroi studimet në Universitetin e Tetovës. Nga viti 2012 punon si gazetare aktive dhe është anëtare e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

LAJME NGA MAQEDONIA

PUBLICITET

FOTO LAJM

FACEBOOK FLAKA